Ekonomi
Institucionet e Kosovës, kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e luksit gjatë vitit 2022
NGAKapitulli
2 vite më parë

Institucionet e Kosovës kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e luksit gjatë vitit 2022. Ato kanë tejkaluar këto shpenzime madje dukshëm në raport me vitet paraprake, 2021 dhe 2020.

Rritja e shpenzimeve të luksit për udhëtime zyrtare, akomodim jashtë vendit, mëditje për udhëtime zyrtare, dreka dhe darka zyrtare, karburante dhe shërbime telefonike, ka ndodhur në kohën kur në krye të Qeverisë është kryeministri Albin Kurti. Ky sa ishte në opozitë kishte “gozhduar” me kritika për luksin e tepruar kundërshtarët e tij politikë, Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Avdullah Hotin e LDK-së, të cilët kanë udhëhequr me ekzekutivin e vendit, më 2020 dhe 2021.

Zyrtarët shtetërorë kanë shpenzuar gjatë vitit të kaluar gjithsej 21.7 milionë euro për meditjet, udhëtimet zyrtare, drekat, karburantet për vetura, shërbimet telefonike si dhe akomodim, raporton Instituti për hulumtime Front, duke u bazuar në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Financave.

Kjo vlerë është më e lartë sesa ajo e viteve paraprake, 2020 dhe 2021.

Në një krahasim mes tri viteve del se institucionet kanë shpenzuar 8.2 milionë euro më shumë në vitin 2022 sesa në 2021-ën dhe 9.8 milionë më shumë se në vitin 2020.

Shteti kishte harxhuar 11.9 milionë euro për shpenzimet e luksit më 2020. Kurse 13.5 milionë sosh, më 2021.

Merakli të meditjeve

Zyrtarët shtetërorë kanë marrë hiç më pak se 2.6 milionë euro për meditje sa i përket udhëtimeve zyrtare jashtë vendit për vitin 2022.

Kjo shifër peshon më shumë sesa në vitin 2021, kur të njëjtit morën 1.2 milionë euro dhe më tepër sesa në vitin 2020, kur u shpërblyen me 1.1 milionë euro.

Shpenzime “qiellore” për udhëtimet zyrtare jashtë Kosovës

Zyrtarët shtetërorë kanë harxhuar 2.5 milionë euro për udhëtimet zyrtare jashtë vendit gjatë 2022-ës.

Ministria e Financave pagoi për të njëjtën arsye 1.3 milionë më 2021-ën, raporton Instituti për hulumtime Front.

Më pak në vitin 2020, 1 milionë e 41 mijë euro.

“Gjumi” i kushtueshëm i zyrtarëve

Në raportin financiar të Ministrisë së Financave del se institucionet kanë shpenzuar 1.9 milionë euro tek kategoria për akomodim dhe udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Fjala është për vitin 2022. Shifrat janë për 1 milionë euro më të ulëta në dy vitet tjera, raporton Instituti për hulumtime Front.

862 mijë euro më 2021. 753 sosh më 2020.

Nafta

Shteti ka harxhit 11.3 milionë euro në vitin 2022 sa i përket derivateve për vetura.

Ata bënë kilometra më pak në vitin 2021. Kjo u reflektua për shkak se harxhuan pos 7.6 milionë euro për karburante.

Dhe 6.6 milionë më 2020.

Alo, mëngjes anglez, miliona euro shpenzime

Zyrtarët kanë shpenzuar 2.1 milionë euro për shërbimet telefonike të realizuara gjatë 12 muajve të vitit 2022.

Pak mbi 2 milionë euro në 2021-ën. Kurse 1.9 sosh më 2020.

Të kushtueshme kanë qenë edhe drekat, të ndara në dreka zyrtare dhe dreka zyrtare jashtë vendit.

Drekat zyrtare për vitin 2022 kapin shifrën e 37 mijë eurove.

Më 2021, hëngrën më pak, duke shpenzuar pos 8 mijë sosh.

E më shumë në vitin 2020, rrafsh 26 mijë euro.

Opozita “flakareshë” Qeverisë për rritjen e shpenzimeve luksoze

Rritjen e shpenzimeve të luksit për vitin 2022 e kanë kritikuar partitë opozitare në deklarimet e tyre për iFront.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa është shprehur i shqetësuar me shumën prej 24 milionë euro të harxhuar nga zyrtarët shtetërorë në kohën e qeverisjes së Kurtit.

“Qeveria aktuale kundërshtonte çdo cent që shpenzohej nga qeveritë paraprake. Tash janë rrit shpenzimet e luksit, por janë ulur shpenzimet kapitale. Po investohet shumë në gjëra që kanë pak rol në zhvillimin ekonomik”, u shpreh Mustafa për “iFront”.

Sipas tij, përbërja e qeverisjes aktuale ka shkelur çdo premtim të bërë para ardhjes në pushtet.

“Janë rrit shpenzimet për dreka e darka, kurse në ekonomi nuk po vërehet asnjë gjurmë. Nuk e di çka mundet me reflektu kjo. VV po bën gjithçka që kishte kundërshtuar vetë dikur”, u shpreh Mustafa për “iFront”.

Pretendimet e njëjta i kanë edhe nga LDK-ja opozitare.

“Këta kanë thënë se nuk u duhen xhipat për shpenzimin e karburanteve, nuk u duhen truprojet, kurse tash po del që po”, vlerësoi deputetja e këtij subjekti, Valentina Bunjaku për Institutin për hulumtime Front.

Kjo thotë se është trashë luksi qeveritar.

“Kjo qeveri është qeveri e rrejshme dhe e mashtrimit qytetar. VV ka akuzuar qeveritë për shpenzime luksi dhe për shpenzime në mënyrë jo transparetne. Megjithatë qeveria e udhëhequr prej saj i ka dyfishuar shpenzimet e luksit”, u shpreh Bunjaku.

Ekonomisët: Shpenzimet e larta të luksit, papërgjegjësi e Qeverisë

Papërgjegjësi i kanë quajtur ekonomistët shpenzimet e larta shtetërore për meditjet, udhëtimet, akomodimet e shërbimet e telefonisë.

Ish-Ministri i Financave, Haki Shatri e cilëson shqetësues faktin se shpenzimet e kësaj kategorie janë rritur, kurse investimet kapitale kanë mbetur pa u kryer.

“Kategoria e pagave është rrit shumë më pak. Investimet kapitale kanë mbet pa u realizuar. Kjo është e papërgjegjshme, në kundërshtim me deklarimet parazgjedhore dhe situatën në të cilin po kalon vendi”.

Ai bëri edhe një krahasim.

“Nuk është shtuar asnjë cent tek kategoria e socialeve, kurse ka rritje tek kategoria e shpenzimeve për mallra dhe sherbime”, vlerësoi Shatri

 

Nga rubrika
Linku i lajmit u kopjua!