Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Berlin nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Në dhjetë vjetorin e themelimit të këtij procesi, Kurti është shprehur se pas këtyre dhjetë viteve siguria e Evropës nuk ka ndryshuar për mirë.
Kurti ka shtuar se gjatë një dekade, Procesi i Berlinit ka luajtur rol kyç në afrimin e rajonit tonë dhe në avancimin drejt BE-së.
“Pavarësisht sfidave të brendshme dhe eksternale, Procesi i Berlinit mbetet një forcë nxitëse për integrimin evropian dhe lidhja që mban të lidhur Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo që e njohim dhe e festojmë sot këtu në Berlin”, u shpreh Kurti.
Kryeministri ka folur edhe për Tregun e Përbashkët Rajonal, ku ka thënë se kjo është një e arritur e madhe e dalë nga Procesi i Berlinit.
“Një momentum i ri është fituar pas kalimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tani mund të avancojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazinë në qendër dhe qytetarët si përfitues të fundit”, është shprehur Kurti.
Kryeministri ka folur dhe për çështjen e lëvizjes me letërnjoftim mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, ku tha se Republika Sprska po refuzon ratifikimin e kësaj marrëveshje, të cilën Kosova e ratifikoi në Kuvend.
Kurti dha edhe një lajm të mirë për qytetarët e Bosnjës, ku tha se nga janari i vitit të ardhshëm do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim në Kosovë.
“Unë kam vendosur të përfundoj pritjen. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës do të lejojë unilateral lëvizjen e lirë për mbajtësit e ID-së nga Bosnja dhe Hercegovina”, ka thënë Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve në Samitin e Procesit të Berlinit.
Ai u shpreh se Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyes dhe një mbështetje në këtë Proces.
“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit.
Në 3.5 vjetët e fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progresin demokratik dhe qëndrueshmërinë institucionale, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë. Njohja e përparimit dhe të arriturave të Kosovës po ashtu afirmon përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit dhe vlerave të saj”, tha Kurti.