Lajme
Punësimet në QKUK: Nipi i shefit të Financave pranohet për recepsionist, shefi i Administratës i quan minore
NGAKapitulli
2 muaj më parë

Lufta kundër nepotizmit në vazhdimësi ka qenë premtim i secilës parti në pushtet, por është harruar në momentin që zyrtarët e subjekteve politike janë ulur në karriget e institucioneve shtetërore.

Në mesin e institucioneve që kritikohen për punësime mbi baza partiake apo familjare është edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Në konkursin për recepsionistë janë ngritur dyshime për manipulime, por edhe punësime të familjarëve.

Siç merr vesh  Sinjali, një dukuri e tillë është vërejtur në këtë konkurs të shpallur për 14 pozita dhe tashmë është nxjerrë vendimi për kandidatët e pranuar.

Në mesin e tyre, është Elidon Bytyqi, djali i vëllait të shefit të Financave të QKUK-së, Sherif Bytyqit dhe Albion Sylejmani që dyshohet se është familjar i bashkëshortes së shefit të administratës së QKUK-së, Haqif Arifi.

Të njëjtit janë në listën e të pranuarve, ndonëse nga SHSKUK nuk kanë kthyer përgjigje në kërkesën e Sinjalit për të siguruar listën e plotë me emrat e 14 kandidatëve të pranuar.

Sinjali ka kontaktuar Sherif Bytyqin, i cili e ka pranuar që Elidon Bytyqi ka aplikuar, por sipas tij nuk ka pasur interes për të përcjellë procesin dhe se nuk ka ndikuar në përzgjedhjen e tij.

Bytyqi tha se nuk është kurrfarë pengese që nipi i tij ka aplikuar dhe s’ka qenë farë në dijeni se a është pranuar apo jo.

“Nuk e di nëse është pranu apo jo. Vallahin m’doket që ka apliku. S’mka interesu fort. S’jom i interesum fort. Konkursi ka qenë i hapur. Ai e ka të drejtën. Pse a është najfarë pengese që është djali i dikujt. Jo s’kom ndiku, as nuk më shkon mendja me ndiku, assesi. Nuk m’ka inetresu për procesin. Nëse ka tregu rezultate, le ta pranojnë.

E di që jonë me kode, nuk më ka interesu fort a është pranu. Unë po t’kallxoj. Nëse është ai, qai është. S’kom qenë në dijeni për procesin. A din çka ju pe teproni. S’më ka interesu. S’jom kanë pjesë e konkursit e as komisionit. Çka tash që jom shef i Financave? Për këtë punë mos më thirr kurrë.” – tha Bytyqi dhe e ndali telefonin.

Ndërsa Haqif Arifi fillimisht e ka mohuar që Albion Sylejmani është i afërm i familjes së gruas, e më pas thotë se “nuk e di”.

Arifit madje i duket minore një proces i tillë, duke thënë se ka punësime më të mëdha në Qeveri, të cilat duhet të hulumtohen.

Pas insistimit të redaksisë për të marrë një përgjigje për lidhjen e tij familjare me Sylejmanin, ai më pas thotë se nuk është në dijeni a është familjar i gruas dhe sipas tij s’ka të bëjë asgjë pozita e tij në këtë proces.

“Konkurs i hapur ka qenë. Keni gjana ma të mdhaja, kjo osht tepër e vogël. Kqyrni atje në Qeveri qysh po hyjnë në borde, leni fukaratë që për 300 euro po hyjnë në punë. Nuk e kom familjar. Nuk ia di grusë familjarët. T’lutem… shumë minore jonë këto sene. Kosova është e vogël. Kqyrni do gjana ma të mdhaja. Të lutem.“

Arifi i revoltuar i normalizon punësimet me të njohur, duke thënë se “s’ka mundësi mos me pasë.

“Nuk e di as është familjar i gruas. Gjene numrin e gruas. Çka ka lidhje pozita, s’kom qenë as në panel as kurrgjë hiç. Kaloni mirë..unë të thash ka qenë publik. Çdo njani iu është nënshtru. Hulumtoni, kqyrni kush ka hy rend, keni me gjetë të njofshëm në Kosovë, se s’ka mundësi mos me pasë. Muni me gjetë farefisni. Unë nuk e di, ju pe dishit. Nuk e njoh kërkond aty. Kaloni mirë. “

Ndryshe, Elidon Bytyqi është radhitur si kandidati i 13-të i pranuar, me 90.1 pikë, ndërsa Sylejmani në vendin e 10-të është vlerësuar me 91.6 pikë.

Nga rubrika
Linku i lajmit u kopjua!